Papa Françesku bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të tjera në mesazhin e tij të Krishtlindjes, duke thënë se bota po vuante nga një “uri për paqe”.

Duke dhënë bekimin dhe mesazhin e tij për festën e Krishtlindjeve, “Urbi et Orbi”, ai u kërkoi gjithashtu njerëzve të shohin përtej “shkëlqimit të cekët të festave” dhe të ndihmojnë të pastrehët, emigrantët, refugjatët dhe të varfrit në mes kërkimit të rehatisë, ngrohtësisë dhe ushqimit.

“Le të shohim gjithashtu fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona ukrainase që po përjetojnë këtë Krishtlindje në errësirë dhe të ftohtë, larg shtëpive të tyre për shkak të shkatërrimit të shkaktuar nga dhjetë muaj lufte”, tha Papa.

Ai foli vetëm disa orë pasi sirenat e sulmit ajror ranë në të gjithë Ukrainën dhe një ditë pasi Kievi tha se një sulm rus në qytetin e çliruar së fundmi të Kherson vrau të paktën pesë persona dhe plagosi 35 të tjerë të shtunën, në atë që Presidenti Volodymyr Zelenskiy e dënoi si vrasje të qëllimshme.

“Zoti na frymëzoftë që të ofrojmë veprime konkrete solidariteti për të ndihmuar të gjithë ata që vuajnë, dhe le të ndriçojë mendjet e atyre që kanë fuqinë të shuajnë oshtimën e armëve dhe t’i japin fund të menjëhershëm kësaj lufte të pakuptimtë!”.

Konflikti në Ukrainë, tha ai, nuk duhet të zvogëlojë shqetësimin për njerëzit, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga konflikte të tjera ose kriza humanitare, duke përmendur ndër të tjera, Sirinë, Mianmarin, Iranin, Haitin dhe rajonin Sahel të Afrikës. “Koha jonë po përjeton një uri të rëndë paqeje…”, tha ai.