Një ekip i KFOR-it është sulmuar në Zubin-Potok të dielën në mbrëmje. Nuk është raportuar për të lënduar, ndërsa pjesëtarët e KFOR-it, të cilët raportohet se janë sulmuar, janë nga Letonia.

Të dielën janë bërë 16 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri nga serbët lokalë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Qeveria ka thënë se janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave. Në anën tjetër, KFOR-i ka thënë se barrikadat duhet të hiqen me dialog.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të bisedojë me komandantin e KFOR-it pas festës së Krishtlindjes.

Reagon KFOR, konfirmon të shtënat: Nuk ka të lënduar

Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka konfirmuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në afërsi të patrullës së tij në Zubin Potok. KFOR në një përgjigje ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar.

“Mund t’ju konfirmojmë se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër. S’ka të lënduar dhe as dëme materiale. Jemi duke i kryer hetimet dhe sapo ato të përfundojnë do të njoftoheni”.

Reagimi i KFOR
Ndërsa të dielën është raportuar për të shtëna në Zubin Potok edhe nga disa mediet serbe.