Udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë u zotuan për fitore në fjalimet me rastin e vitit të ri, por ndërsa presidenti Volodimir Zelenski foli për mirënjohje dhe dhimbje, Putin u kërkoi rusëve të përmbushin detyrën ndaj  atdheut duke e përshkruar konfliktin si luftë gati ekzistenciale.

Presidenti ukrainas kujtoi disa prej momenteve më dramatike dhe fitoret në luftë, duke e mbushur videomesazhin emocionues prej 17 minutash, me pamje të sulmeve ruse në vend dhe fjalë krenari për ukrainasit që i mbijetuan sulmeve, errësirës dhe të ftohtit.

“I uroj një gjë, të gjithëve ne: Fitoren. Le të jetë ky viti i rikthimeve. Rikthimi i njerëzve tanë; luftëtarët në familjet e tyre; të burgosurit në shtëpitë e tyre. Rikthim i tokave tona dhe ato që janë përkohësisht të pushtuara le të çlirohen përgjithmonë. Rikthim në jetën normale; në momentet e lumtura pa shtetrrethim; tek gëzimet tona tokësore pa sulme ajrore. Rikthim tek ato që na i vodhën; te fëmijëria e fëmijëve tanë; te pleqësia paqësore e prindërve tanë”, tha Zelenski.

Pak minuta pas fjalimit të Zelenskit, i publikuar pak para mesnatës me orën e Kievit, një sërë shpërthimesh u dëgjuan në kryeqytet dhe rreth vendit.

Sakaq, Putin e theu traditën duke e përcjellë mesazhin e vitit të ri, i rrethuar nga trupa ushtarake në vend të mureve të Kremlinit.

Ai ju referua 2022 si viti që ndau heroizmin dhe kurajën nga tradhtia dhe frika dhe u përpoq të siguronte mbështetjen e rusëve mes sprapsjeve turpëruese në fushëbetejë.

“Ne e kemi ditur gjithmonë dhe sot jemi po ashtu të bindur se e ardhmja e Rusisë së pavarur, sovrane dhe të sigurt varet vetëm nga ne, tek forca dhe vullneti ynë”, u shpreh presidenti rus.

Putin u përpoq të promovonte realitetin alternativ të konfliktit se në luftë Rusia është heroi dhe Ukraina e Perëndimi, janë të këqijtë.