Soledari ka rënë, pas një nate “të nxehtë” zjarri. Kështu të paktën pretendon Rusia duke lajmëruar pushtimin e plotë të qytetit ukrainas të minierave të kripës, të bërë shkrumb e hi gjatë luftimeve mizore disamujore trup më trup. Ka raportime se fitorja e parë për Vladimir Putin në fushën e betejës në shumë muaj ka ardhur falë një mashtrimi, ku ushtarët e tij janë kamufluar si luftëtarë ukrainas. Ministria e Mbrojtjes në Moskë e konsideron një hap thelbësor për të penguar avancimin e forcave të Kievit në lindje në Donjeck, duke u treguar e kujdesshme me temrin e përdorur dhe e konsideron pushtimin e atij territori, “një çlirim”.

Beteja nuk ka ndalur as në fronte të tjera. Sirenat e alarmit u dëgjuan në të paktën katër rajone të Ukrainës, me bombardimet ruse që kërkojnë të provojnë se gjenerali i luftës së Vladimir Putin ka marrë drejtimin e operacionit special ushtarak. Por duket se shefit të Kremlinit i është “mbushur kupa”, dhe këtë e konfirmoi me zemëratën e fortë publike të treguar ndaj ministrit të tij të industrisë dhe tregtisë për progresin tepër të ngadaltë në dorëzimin e porosive për ushtrinë dhe aviacionin.

“Po vonohen shumë! Tmerrësisht shumë. A i kuptoni rrethanat në të cilat ne gjendemi?”, pyeti Putin.

Ministri tentoi të justifikonte vonesat në dorëzimin e helikopterëve dhe dronëve, por u ndërpre nga Putin, i cili i tha: “Thoni se gjithçka është gati, por nuk keni asnjë kontratë. Prandaj po të them se këtë do ta diskutojmë pas mbledhjes. Drejtorët më thanë se nuk keni asnjë kontratë me sipërmarrjet. Me kë po tallesh?”.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha se “Ukraina është bërë De facto një vend anëtar i aleancës së NATO-s”. Ai e arsyetoi këtë me ndryshimin e qasjes së perëndimit lidhur me ndihmat ushtarake, ndërsa prezantoi dhe pritshmëritë që Kievi të marrë tanke dhe avionë luftarakë, përpara përplasjes së madhe të pranverës me Rusinë. Pohimi që Ukraina është një anëtare e vërtetë e NATO-s, vjen pasi disa zyrtarë në Moskë thanë se ushtria ruse në të vërtetë po lufton Aleancën e Atlantikut të Veriut në Ukrainë, për shkak të sasive të mëdha të armëve të furnizuara për Kievin.