Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, e ka përsëritur edhe një herë se nuk do ta mbështesë aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO. Lideri turk është shprehur që Suedia “as të mos e marrë mundimin.”

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e shkuar për t’u anëtarësuar në aleancën transatlantike pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Dy vendet më pas tentuan që të fitonin mbështetjen e Turqisë, pasi kjo e fundit doli thuajse menjëherë kundër. Megjithatë, Ankaraja i pezulloi bisedimet muajin e shkuar pasi një politikan danez i së djathtës ekstreme dogji një kopje të Kuranit në Stokholm.

“Suedia në këtë pikë as nuk duhet ta marrë mundimin. Nuk do t’i themi po aplikimit të saj për NATO-n për sa kohë ata lejuan djegien e Kuranit,” tha presidenti Erdogan.

Presidenti turk nënkuptoi se dritën jeshile mund t’ia japin Finlandës vetëm, por ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, deklaroi se vendi i tij do të vijojë të eci së bashku me Suedinë në procesin e  anëtarësimit.

Turqia dhe Hungaria janë të vetmet vende që nuk e kanë aprovuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Vendimi për zgjerimin e Aleancës, sipas rregullave, duket marrë në mënyrë unanime.