Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shpalli gjendje të jashtëzakonshme tre mujore në 10 rajonet e prekura më rëndë nga tërmetet shkatërruese, që vranë me mijëra vetë. Në një fjalim televiziv gjatë mesditës, Erdogan njoftoi se bilanci i viktimave kishte shkuar në mbi 3500, ndërsa në Siri raportohen mbi 1600 viktima. Presidenti turk tha se gjendje e jashtëzakonshme do të mundësojë që punimet në juglindje të vendit, të kryhen me shpejtësi. Gjendja e jashtëzakonshme do të përfundojë pak para 14 majit, kur presidenti Erdogan do të përpiqet të ruajë pushtetin pas 20 vitesh, në zgjedhjet e reja presidenciale.

 “Situata aktuale kërkon masa të jashtëzakonshme. Kemi vendosur të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e katastrofës, në mënyrë që aktivitetet e kërkime shpëtimit dhe punimet e mëvonshme të realizohen me shpejtësi”, deklaroi Erdogan

Një betejë jo vetëm me kohën, por edhe borën dhe shiun; po rezulton ajo e ekipeve të shpëtimit që po punojnë pa pushim për të nxjerrë të mbijetuar, pas tërmeteve shkatërrues në Turqi e Siri . Organizata botërore e shëndetësisë paralajmëron se numri i viktimave mund të rriten me 8-fish, gjatë orëve në vazhdim, dhe parashikon se deri në 23 milionë njerëz mund të preken nga pasojat e tërmetit.

Paslëkundjet që regjistrohen vazhdimisht, një prej të cilave me magnitudë 5.3 mëngjesin e së martës, po mbajnë me frymën pezull qytetarët që po qëndrojnë jashtë në temperatura të acarta. Në Hatai, një burrë përshkruan mes lotëve pritjen agonizuese për mbërritjen e grupeve të kërkim-shpëtimit.

“Ne i dëgjojmë ata. Po kërkojnë ndihmë; po kërkojnë të shpëtohen, por askush nuk është këtu. Zëri i një gruaje ndihet nga rrënojat”, tha ai. 

Sipas autoritetit të menaxhimit të katastrofave dhe emergjencave mbi 4700 godina janë shkatërruar në 10 qytetet mëtë prekura në turqi, e gati 8 mijë njerëz janë nxjerrë të gjallë prej rrënojave.

Impakti është ndjerë në një zonë që shtrihet përgjatë 450 km, nga Adana në perëndim në Dijarbakir në lindje dhe 300 km nga Malatja në veri dhe Hatay në Jug. Janë sinjalizuar viktima deri në Hama, rreth 100 km nga epiqendra e tërmetit të parë; në Gaziantep.

Në Sirinë fqinje tërmeti goditi zonën veriperëndimore, ku miliona refugjatë të shpërngulur nga lufta 12-vjeçare, jetojnë në kampe pranë kufirit me Turqinë.