Skuadra shqiptare e kërkim-shpëtimit po kryen operacione në rrënojat e tragjedisë së tërmetit në Malatya të Turqisë. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në faqen e tij në Facebook foto nga operacioni i kërkim-shpëtimit, ku trupat shqiptarë shihen duke punuar në rrënoja. Misioni shqiptar i solidaritetit me 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete u nis një ditë më parë në ndihmë të popullit turk në këtë fatkeqësi.

Më shumë se 5400 njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra janë plagosur pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Sipas autoritetit të menaxhimit të katastrofave dhe emergjencave mbi 4700 godina janë shkatërruar në 10 qytetet më të prekura në Turqi, e gati 8 mijë njerëz janë nxjerrë të gjallë prej rrënojave.

Agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore, ku më shumë se 4 milionë njerëz mbështeteshin te ndihma humanitare.

Kushtet e motit të ngrirë po rrezikojnë të mbijetuarit dhe ndërlikojnë përpjekjet e shpëtimit, pasi më shumë se 100 pasgoditje kanë tronditur rajonin.

Tërmeti i së hënës është një nga më të fortët që ka goditur rajonin në më shumë se 100 vjet, me epiqendër 23 kilometra në lindje të Nurdagit, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometrash.