32-vjeçari me origjinë nga Shqipëria, i ekzekutuar dy ditë më parë në Athinë duket të jetë viktima e radhës së luftës për kontroll të territorit mes bandave shqiptare siç raporton “Kathimerini”. Gazeta greke i referohet burimeve nga policia teksa raporton se kjo është hera e katërt që tentohej vrasja e 32-vjeçarit nga anëtarë të një bande shqiptarësh pas tre tentativave të mëparshme të pasukseseshme.

Policia ka dyshime të forta se shqiptari kishte dalë nga “unaza” e grupeve që merren me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Athinë dhe kishte krijuar grupin e tij, gjë që ish-shokët e djeshëm nuk ia falën duke e dënuar me vdekje, plan i cili u realizua dy ditë më parë në Athinë.

Shqiptari ishte tentuar të vritej edhe në shkurt të këtij viti në një stacion autobusi në Larisa, duke marrë vetëm plagë në trup, ndërsa policia arrestoi disa shqiptarë dhe një grek si të dyshuar për atentatin.

Më herët, ndaj tij ishte tentuar edhe në vitin 2019 si edhe një herë tjetër më herët në vitin 2009, por pa rezultatin e pritshëm për porositësit.

Shqiptari e priste atentatin e radhës prandaj edhe sipas policisë lëvizte me një jelek anti-plumb, por që nuk mund ta mbronte nga tetë plumbat e lëshuara nga një person me kapele dhe maskë kirurgjikale që iu afrua në lokalin ku po pinte kafe.