Mjeku kardiolog do ta ketë të ndaluar të ushtrojë profesionin. Këtë të martë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ishte vetë mjeku që e dërgoi çështjen në apel për t’u rikthyer në detyrë, ndërsa pak ditë më parë në të njëjtën gjykatë fitoi të drejtën për të dhënë mësim në universitet.

Mjeku Edvin Prifti u pezullua nga detyra, pasi në zyrën e tij dhe në banesë ju zbulua një shumë e madhe parash, duke ngritur kështu dyshimet për pastrim parash.

Më herët, SPAK bllokoi dy nga llogaritë bankare të tij.

Sipas organit të akuzës, ai është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK thotë se nga hetimet janë grumbulluar prova që krijojnë dyshime se nga ana e mjekut është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.