Policia e Shkodrës ka arritur të sigurojë pamje të reja të vrasësit portugez pas gjetjes së një sërë faturash supermarketi në makinën e marrë me qira nga Edmond Haxhia me të cilën lëvizte dhe Saraiva.

Burime pranë grupit hetimor thanë se në automjetin tip “Golf” u gjetën disa fatura shpenzimesh ushqimore, ndërsa pas lokalizimit të marketit grupi hetimor ka shkuar dhe te pamjet e Haxhisë dhe portugezit.

Për ngjarjen, policia shpalli në kërkim ndërkombëtar 6 personat e përfshirë në vrasje, mes tyre 4 britanikë, shqiptarin me pasaporte angleze, Haxhia, si dhe portugezin Ruben Saraiva. Hetuesit kanë arritur të mësojnë dhe itinerarin e tyre pas ekzekutimit të Nikulajt.

Harry Simson, njëri prej britanikëve, i cili kishte rolin e vëzhguesit është fiksuar në disa prej kamerave të sigurisë që përgjatë gjithë kohës filmon me celular ambiente të ndryshme të kompleksit Koral. Dyshimet për të lindën menjëherë pasi pas marrjes në pyetje të stafit të hotelit, Simson nuk kishte prenotuar për disa ditë, por paguante dhomën e tij çdo ditë, deri në momentin e vrasjes ku dhe u largua nga hoteli.

Në pikën kufitare të Rinasit, Simson qëndroi për disa orë dhe u largua në drejtim të Anglisë. Një ditë më pas rezulton se po nga aeroporti u largua dhe Edmond Haxhia. Për 4 personat e tjerë të përfshirë në vrasje mes tyre dhe portugezi ekzekutor kanë dalë nga pika kufitare e Kapshticës.

Makina e marrë me qira nga Edmond Haxhia ka bërë dhe lidhjen mes tij dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë, pasi i njëjti automjet është fiksuar dhe në afërsi të Rinasit, që ka transportuar në intervale kohore të ndryshme britaniket dhe portugezin që mbërriti në Shqipëri me 14 shkurt. Vetë Haxhia është futur në Shqipëri nëntorin e një viti më parë pasi do fejohej.