Rusia ka zhvilluar plane të ndryshme për vrasjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Këtë e njoftoi kreu i inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, Kiril Budanov, duke shtuar se të gjitha ato tentativa janë shmangur.

Vetë Zelensky, gjatë një eventi tha se “nëse është e vërtetë që Vladimir Putin ka vrarë Yevgeny Prigozhin, kjo është një shenjë që tregon se sa i dobët është presidenti rus”.

Është e pamundur të negociosh me Putinin, pasi ai nuk arrin të mbajë premtimet e tij. Kjo tregon se fjala e tij është fare e pavlerë”, tha lideri ukrainas duke nënvizuar se Putin ka pasur frikë nga kreu i Wagner, prandaj e ka eliminuar.

Zelensky shtoi se “pa rimarrjen e Krimesë, Donbasit dhe territoreve të pushtuara nuk mund të ketë paqe në Ukrainë dhe as në Europë”.

Në fushën e betejës lufta nuk ka ndalur… si në tokë, ashtu edhe në qiell.

Një zjarr i madh shpërtheu në Moskë, ndërsa mediat raportojnë se është shkaktuar nga një sulm me dronë. Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi rrëzimin e një droni ukrainas në rajonin e Briansk.

Në anën tjetër, forcat ajrore të Ukrainës bëjnë me dije se kanë shmangur disa sulme nga ushtria ruse me raketa Kalibr dhe dronë kamikazë.

Kievi pretendon gjithashtu se ka avancuar në rajonin e Zaporizhzhias, me çlirimin e disa fshatrave. Në pikën tjetër të nxehtë të kundërofensivës në Bakhmut, ushtria e Zelenskit njofton se ka shkatërruar armatime të Rusisë për një vlerë prej 5 milionë dollarësh.