Katari do të dërgojë të paktën 10 mijë shtëpi lëvizëse nga ato që ndërtoi për të akomoduar tifozët e Kupës së Botës, në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri.

Autoritetet e vendit njoftuan se që në konceptim, ato kabina ishin planifikuar që të dhuroheshin për raste të nevojshme.

Kabinat u përdorën për të akomoduar rreth 1.4 milionë tifozë që mbërritën në Katar gjatë turneut më të madh të futbollit. Një grup fillestar prej 350 strukturash u dërgua të dielën, dhe të tjera pritet të dërgohen në ditët në vijim.

Kujtojmë se pas goditjeve të fuqishme të tërmetit, dhjetëra mijëra ndërtesa u shkatërruan në Turqi dhe Siri duke lënë miliona njerëz të pastrehë.

Katari dhe vende të tjera të pasura të Gjirit i janë bashkuar përpjekjeve globale për të dërguar ekipe shpëtimi dhe ndihma të tjera në rajonin e goditur.