Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë, ku mbeti i vdekur 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi në fshatin Zvezdë.

Ai u dërgua në spital pasditen e së premtes dhe mjekëve iu tha se ishte rrëzuar teksa kishte qenë në gjendje të dehur. Megjithatë, ngjarja ka qenë krejtësisht ndryshe, sipas policisë.

“Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babanë Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr. Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës”, njofton policia.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Kryeplaku i fshatit shprehet se djali kishte dy vite që ishte kthyer nga Franca dhe që prej asaj kohe ishte i varur nga alkooli.

“Ishte një gjë e çastit. Ka qenë një familje e rregullt. Familje e mirë, të respektuar në të gjithë fshatin. Ai djali ka qenë i divorcuar. Ishte në Francë, kishte rreth dy vite që ishte kthyer. E kishte kaluar pak me alkoolin. Nuk kishin probleme. Të arrinte deri në këtë fazë të tillë nuk e besonte askush. Kur vij unë më thanë ra nga shkallët. Askush nuk jepte shpjegim. Babai ka kaluar sklerozë.

Më thanë se para pak ditësh, djali kishte bërë atë vaksinën kundër alkoolit, por sërish pinte”, u shpreh Adriatik Lilo.