Presidenti amerikan Joe Biden sfidoi protokollin e tij të sigurisë duke zhvilluar një vizitë surprizë në kryeqytetin e Ukrainës, 4 ditë përpara përvjetorit të parë të luftës së nisur nga Rusia.

“Joe Biden, mirë se erdhët në Kiev!”, me këtë fjali e priti homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që e falënderoi për mbështetjen jetësore të Uashingtonit.

Vizita e kreut të Shtëpisë së Bardhë, për herë të parë në një shtet në mes të një lufte, u shoqërua me momente frike, pasi në të gjithë Ukrainën e dëgjuan sirenat e alarmit. Këtë e shkaktoi fluturimi mbi qiell i një bombarduesi rus MiG-31K, me armë hipersonike “Kinzhal”, që u ul në një aeroport të Bjellorusisë.

Gjatë qëndrimit në Kiev, presidenti amerikan siguroi se gjatë kësaj jave, Rusia do të ndëshkohet sërish me sanksione të reja. Gjithashtu Biden njoftoi një paketë të re ndihmash prej gjysmë miliardi dollarë për Ukrainën.

Dy presidentët diskutuan edhe për furnizimin e Kievit me armë me rreze të gjatë veprimi dhe shtimin e dërgesave me raketa dhe municione të tjera. “Edhe pas një viti, Kievi dhe Ukraina janë ende në këmbë. Demokracia po reziston”, është shprehur Biden.

Vizita e tij surprizë në Kiev erdhi falë një turi tre ditor që po zhvillon presidenti amerikan në Poloni.

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur në Bruksel për të gjetur një mënyrë që forcat ukrainase të kenë mjaftueshëm municione për të luftuar trupat ruse.

Ushtria e Putinit ka përjetuar humbje shumë të mëdha në betejën për Vuledarin në lindje, njofton inteligjenca britanike. Ndërsa presidenti Zelensky e përshkroi situatën shumë të vështirë edhe për trupat e tij, por shprehet I bindur se pushtuesi po thyhet.