Në shumë raste, policia shqiptare ka njoftuar arrestimin  e pjesëtarëve të grupeve kriminale në Emiratet e Bashkuara Arabe, por ndonëse pritet ekstradimi i tyre, asnjë nuk ka mbërritur në Shqipëri në pranga.

Edhe arrestimi i Dritan Shkëmbit pak ditë më parë si pjesë e organizatorëve që i bënë atentat ish-prokurorit Ndoj pritet të përfundojë si të gjitha arrestimet e tjera të këtij lloji.

Mbajtja në qeli për disa ditë dhe më pas lirimi, por ky nuk është i vetmi arrestim i eksponentëve të krimit shqiptarë në Dubai ku mesa duket kanë gjetur parajsën e munguar të lirisë. Në vitin 2020, ish-pjesëtari i bandës së Durrësit, Plarent Dervishaj, u arrestua në Dubai për llogari të shtetit shqiptar.

Ndonëse operacioni në Shqipëri u kodua “Asgjë nuk harrohet”, arrestimi i Dervishajt u harrua brenda tre ditëve. Në mungesë të marrëveshjes së ekstradimit mes dy vendeve Dervishaj edhe pse është në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut u la i lirë.

Viti 2020 pasoi dhe me arrestimin e Eldi Dizdarit i konsideruar si një ndër personat më me influencë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. I arrestuar gjatë operacionit Los Blancos dhe në kërkim ndërkombëtar dhe nga Italia sërish Dizdari arriti të lerë qelitë e burgut. Një vit më pas, Mikael Qosja i njohur dhe si Kamani, i dyshuar si i përfshirë në ekzekutimin e trefishtë të Enea Alibej, Albert Dylgjerit dhe turkut, Erdal Duranay në vitin 2018 në Elbasan, u arrestua në Dubai.

Nuk do të pasonte shumë dhe ai u lirua ndërsa autoritetet atje i sekuestruan pasaportën duke mos e lënë të dalë nga Emiratet e Bashkuara. Veç arrestimeve në Dubai dyshohet se strehohen edhe emra të tjerë të bandave famëkeqe shqiptare, të cilët mesa duket kanë ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal edhe atëherë kur arrestohen.