Publikimi i dokumenteve sekrete amerikane për luftën në Ukrainë përfaqëson një kërcënim “shumë serioz” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, paralajmëroi Pentagoni. Dokumentet përmbajnë të dhëna sekrete për luftën që Rusia po bën në Ukrainë, si dhe për aleatët e Shteteve të Bashkuara. Materialet, të cilat kanë qarkulluar në faqe të ndryshme të mediave sociale, “kanë potencialin të përhapin dezinformim”, sipas ndihmëssekretarit të Mbrojtjes për çështjet publike, Chris Meagher.

“Dokumentet duket të jenë të ngjashme në format me ato që përdoren për të informuar drejtuesit e lartë mbi Ukrainën dhe Rusinë, por disa prej imazheve duket të jenë ndryshuar”.

Dokumentet e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord në fund të muajit shkurt, dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter. Megjithatë, ato nuk tërhoqën shumë vëmendje derisa gazeta The New York Times raportoi për këto materiale. Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se ka ende shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje për nxjerrjen në publik të këtyre materialeve.

“Nuk dimë se kush është pas kësaj. Nuk dimë motivin. Dhe nuk dimë çfarë ka tjetër që qarkullon”, tha John Kirby.

Kur u pyet nëse do të ketë publikime të mëtejshme të dokumenteve të klasifikuara, ai shtoi: “Përgjigjja e vërtetë dhe e ndershme ndaj pyetjes suaj është se nuk e dimë. A është kjo diçka shqetësuese për ne? Patjetër që po”. Ndërsa pohoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të prononcohen për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e dokumenteve në këtë pikë, zyrtari i lartë deklaroi se informacioni që qarkullon në internet nuk duhet të gjendet në publik.

Departamenti i Mbrojtjes po drejton një hetim për dokumentet e nxjerra ku marrin pjesë disa agjenci qeveritare, ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim penal. Pentagoni tha të dielën se disa agjenci po punojnë për të vlerësuar ndikimin që mund të kenë te siguria kombëtare dokumentet që u publikuan.