Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës miratoi një mocion të mbrojtjes së Rexhep Selimit, për përjashtimin e disa provave të paraqitura nga një dëshmitar, të cilat janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve në aktakuzë. Gjykatësi Charles Smith III tha se pranimi i këtyre provave do të shkaktonte  cenim të padrejtë të të akuzuarve.

“Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet që prokurorët e specializuar të bëjnë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafin 31623 të materialit. Sa i takon dëshmitarit Ë02652, duhen redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synon të paraqitet  si prova. Palët duhet të dorëzojnë versionet e redaktuara bashkë me parashtrimet e tyre deri të hënën 24 prill 2023”, tha Gjykatësi Charles Smith.

 Ai bëri të ditur se prokuroria e dhomave të specializuara e kundërshton mocionin duke argumentuar se dëshmia është e pranueshme. Kërkesa e avokatëve mbrojtës të Rexhep Selimit për mospranim të dëshmisë, u dorëzua në 6 prill dhe u mbështet edhe nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit.

“Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit W02652 për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë. Mbrojtja e Selimit mendon që incidenti nuk është relevant dhe vlera provuese zhbëhet nga efekti cenues që ka”.

Procesi gjyqësor kundër 4 ish-komandantëve të UÇK vijoi të hënën me thirrjen e një tjetër dëshmitari të prokurorisë së specializuar në një seancë private dhe me pjesë të redaktuara. Dëshmitari tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dëshmia e tij, do të zgjasë 5 ditë.