As miq e as parti, por përparësi në bazë të parimit meritë-preferencë. Këtë premtonte kryeministri Rama për studentet ekselentë që kërkojnë të bëhen pjesë e administratës publike. Por kjo nuk po ndodh.

Ndonëse për një punë në shtet aplikuan 190 vetë, vetëm 62 prej tyre rezultuan si “të kualifikuar”, ndërsa 42 arritën të siguronin një vend.

“Fatkeqësisht Administrata Publike është e politizuar dhe nuk bazohet në meritokraci. Kjo i bën studentët ekselentë të mos gjejnë hapësirat e duhura pasi nuk kanë orientim publik”, u shpreh Mirela Arqimandriti, ekspertë e tregut të punës.

Referuar të dhënave nga Departamenti i Administratës Publike, numri i të diplomuarve me nota të larta, 9 dhe 10 po punësohen më pak në shtet. Nga 338 të punësuar nga kjo kategori në 2019-n, apo 98 në 2020-n, shifra ka rënë në 64 dhe 42 vitet e fundit.

Në këtë shifër në rënie për ekspertët ndikim ka edhe preferenca e studentëve që po anon më shumë drejt perëndimit ose tregut privat vendas, që ofrojnë paga më të larta.

“Ata pastaj ndoshta preferojnë të punësohen në vende të huaja, ose në Shqipëri në privat. Në administratën publike mendoj se ka shumë probleme që kufizojnë të rinjtë të shpalosin potencialin e tyre”.

Të dhënat nga Departamenti i Administratës Publike tregojnë se gjatë 2022-shit, studentët ekselentë zunë më pak se 5 për qind të të punësuarve total në administratën publike.