Një këngë nuk e ndali vrullin e protestave masive në Francë. Teksa presidenti Emmanuel Macron ia mori këngës me një grup të rinjsh në një prej lagjeve të Parisit, në një tjetër manifestuesit i vunë flakën çdo gjëje, si shenjë e zemëratës ndaj reformës për të rritur moshën e daljes në pension.

Më herët, shefi i Elizesë foli gjatë një shëtitjeje me bashkëshorten Brigitte duke thënë se i vinte keq që nuk gjeti një konsensus me sindikatat lidhur me reformën.

Më vonë, Macroni iu bashkua një grupi kori duke kënduar një këngë të vjetër që e kishte mësuar nga gjyshja. Kështu presidenti ka dashur që të krijojë një video virale në internet, për të larguar vëmendjen nga problemet kryesore në Francë, veçanërisht nga reforma e shndërruar zyrtarisht në ligj pas konfirmimit nga Gjykata Kushtetuese.

Tashmë punonjësit do të dalin në pension në moshën 64 vjeçare dhe jo 62, sa ishte më përpara. Iu deshën shumë pak që Macron të kuptojë se kënga e tij, e krijuar nga e djathta ekstreme, nuk bëri efektin që dëshironte ekipi i tij.

Në një event publik në rajonin Alsace, protestuesit e ndeshën atë duke lëshuar ofendime dhe kërkuar dorëheqjen e presidentit. “Së shpejti do rrëzohesh nga karrikja”, “I Korruptuar”, “Macron dorëhiqu”, ishin vetëm disa nga thirrjet e manifestuesve.

I pyetur nga gazetarët se si ndihej, Macron u përgjigj duke thënë se ka përballuar edhe më keq.