Eksportuesit shqiptarë po humbasin nga rënia e euros. Kultivuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike, që 95 për qind të prodhimit e eksportojnë jashtë janë ndër industritë që po e vuajnë nënçmimin e valutës europiane. Vitin e shkuar nga eksportet e mbi 330 llojeve të bimëve medicinale u arkëtuan rreth 56 milionë euro.

Me kursin mestar gjatë 2022 që ishte 117 lekë për çdo 1 euro, ata përfituan rreth 65.5miliardë lekë, por nëse kursi i këmbimit do të ishte ai i vitit 2021, 122 lekë fitimet do të ishin 68.3 miliardë lekë. Pra vetëm nga zhvlerësimi i euros në një vit fitimet janë rrudhur me 3.2 miliardë lekë.

“Përfshihen të gjitha kostot e prodhimit të cilat janë shpenzime operative dhe blerjet e lëndëve të para duke bërë që të na marrë shumë nga fitimet tona. Do të jetë mjaft e vështirë nesër që ne të zhvillojmë investime të mëtejshme ose dhe të zgjerohemi”, thotë për A2 CNN Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Përtej humbjes së lartë, shoqatat eksportuese parashikojnë një falimentim të bizneseve teksa tashmë po u preken fitimet. “Për biznesin tonë është tek 1 milionë euro humbje për vitin 2022 ku një rënie e mëtejshme e euros do të ishte fatale për çdo biznes. Duhet që të shtohet në projektbuxhetin e vitit 2023 limiti i subvencionimeve për bimët mjekësore, sidomos për ato bimë organike, që të jetë dyfishim i subvencionimit për fermerët”, thotë Gjoka.

Referuar te të dhënat e INSTAT mbi vlerën e eksporteve totale gjatë viti 2022, rezulton se sipërmarrësit shqiptarë kanë humbur gati 250 miliardë lekë nga nënçmimi me rreth 5 lekë i valutës europiane në krahasim me 2021-shin.