Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka gjithçka gati për zgjedhjet e pjesshme lokale në katër komunat në veri. Në mbledhjen e fundit u mor vendim për të zëvendësuar komisionerët e nominuar nga Partia Kosovskih Srba, që njoftuan se nuk do të dalin në votime gjatë ditë së dielës.

Kjo erdhi pas tërheqjes së kreut të forcës politike, Aleksandër Jabllanoviç, nga kandidimi për kryetar i komunës së Leposaviqit. Komisionerët u zëvendësuan me anëtar të administratës së agjencisë për regjistrim civil.

Përgatitjet kanë përfunduar edhe në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Në total, KQZ ka vendosur 19 qendra votimit në veri të Kosovës, 13 prej të cilave janë alternative në kontejner.

 “Ne si komision i kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për t’i organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet që i kemi miratuar, i kemi vendosur kontejnerët në vendet e caktuara dhe çdo gjë është gati për fillim të zgjedhjeve nesër, andaj në emër të KQZ-së unë ftojë të gjithë qytetarët e komunave të veriut që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të dal në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe të ndërtojnë institucionet e tyre demokratike.. me shpresë që i gjithë procesi do të shkoj i qetë dhe i lirë,” u shpreh Kreshnik Radoniqi, Kryetar i KQZ-së në Kosovë.

Në të njëjtën frymë është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u bën thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të dalin të dielën në zgjedhje.

Me anë të një deklarate, kryetarja e shtetit nënvizon se e kupton që shumë prej qytetarëve atje kanë rënë pre e kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë në javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Serbisë, me qëllim që t’i detyrojnë të heqin dorë nga mundësia për të përcaktuar të ardhmen e komunave.

 “Ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë tek ju me kërcënime dhe shantazhe”, shkruhet në njoftimin e presidentes Osmani.