Manchester City, një prej skuadrave më të suksesshme të viteve të fundit në futbollin europian do të hapë një akademi futbolli në Durrës. Ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishte pranë marrëveshjes me një klub elitar të kontinentit dhe A2 CNN ka mësuar nga burime se bëhet fjalë pikërisht për skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.

Për nënshkrimin e marrëveshjes, kryeministri udhëton drejt Anglisë këtë të mërkurë bashkë me kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe ministren e Arsimit, Evis Kushi. Në një dalje publike disa ditë më parë, Rama tha se përveç akademisë – që do të jetë rajonale, klubi i famshëm do të ndërtojë edhe një shkollë futbolli.

I themeluar 129 vite më parë, më 16 prill 1894, City është në pronësi të “City Football Group Limited”, një kompani shumëkombëshe me kapital kryesor nga Emiratet e Bashkuara Arabe (81%), por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Që prej marrjes së pronësisë nga sheikët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, klubi është ngjitur në elitën e futbollit kontinental, ndërsa këtë sezon është ende në garë për titullin kampion në Premier League, si dhe është kualifikuar për në gjysmëfinalet e Champions League.

Gjatë historisë, Manchester City ka fituar 8 herë titullin kampion (1936–37, 1967–68, 2011–12, 2013–14, 2017–18, 2018–19, 2020–21, 2021–22), 6 herë Kupën e Anglisë (1903–04, 1933–34, 1955–56, 1968–69, 2010–11, 2018–19) si dhe ka fituar një herë Kupën e Kupave (1969-70).