Banka e Shqipërisë vlerëson se për momentin nuk është e nevojshme ndërhyrja në tregun e këmbimit valutor. Institucioni gjykon se rënia e euros ka ardhur për shkak të prurjeve të mëdha të valutës, nga burime si dërgesat e emigrantëve dhe investimet e huaja.

“Vlerësimi i kursit të këmbimit ka qenë një veçori e kursit të këmbimit të lekut, ka qenë një veçori e zhvillimeve gjatë vitit 2022. Në këndvështrimin tonë, kjo ecuri është në linjë me zhvillimet që kanë ndodhur me bilancin e pagesave.

Gjatë vitit 2022, ne kemi pasur tkurrje të deficitet tregtar, tkurrje të deficitit të llogarisë korente dhe rritje të fortë të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte.

Të gjitha këto kanë bërë që hyrjet neto të valutës në ekonominë shqiptare të kenë qenë më të larta se në vitin 2021. Ndërhyrjet bëhen vetëm në atë raste kur ka çrregullime të funksionit të tregut dhe aktualisht, nga analiza jonë, nuk na rezulton një gjë e tillë”, tha në lidhje me situatë Klodian Shehu, Drejtor për Stabilitetin Financiar në Bankën e Shqipërisë.