Reali i Madridit zyrtarizon afrimin e Jude Bellingham. Një javë pas konfirmimit nga Borussia Dortmund për lamtumirën e mesfushorit, “Los Blancos” konfirmuan atë që është absolutisht një prej goditjeve më të mëdha të merkatos së verës.

Formalizimi u bë nëpërmjet rrjeteve sociale të klubit. Gjigantët spanjollë i uruan mirëseardhjen talentit anglez, që firmosi kontratë afatgjatë dhe do të përfitojë rrogë milionere.


Për 19-vjeçarin anglez nis në këtë mënyrë aventura në “Santiago Bernabeu” dhe në futbollin spanjoll. Prezantimi zyrtar i Bellingham do të bëhet këtë të enjte, ndërsa janë bërë publike edhe shifrat e një prej transferimeve më të shtrenjta të historisë së futbollit.

Jude Bellingham i kushtoi Realit të Madridit 103 milionë euro, plus 35 milionë euro të tjera të cilat do të derdhen në arkat e Borussia Dortmund në formën e shpërblimeve për arritje individuale dhe ekipore.

Në total, 138 milionë euro, për atë që është transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit “merengues”. Deri në këto momente, rekordi te Reali mbahej nga transferimi i Eden Hazard, që kaloi në Madrid për 115 milionë euro.

Bellingham ka firmosur kontratën që e lidh me spanjollët deri më 30 qershor të vitit 2029. Rroga e tij te Reali përllogaritet të jetë rreth 12 milionë euro neto në sezon.