Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 38-vjeçar pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Policia bën të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Border 10”, duke kapur 33 emigrantë në një kamionçinë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, bazuar dhe në infomacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Border 10”, për goditjen e një tjetër rasti të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi E. S., 28 vjeç, banues në Lushnjë.

Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vendin e quajtur Ura e Çukës, Sarandë, duke transportuar me një automjet tip kamionçinë, kundrejt pagesës, 33 emigrantë, që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së”, njofton policia.