Nata e katërt e trazirave në Francë ka çuar pas hekurave mbi 1300 persona, teksa protestat e dhunshme kanë mbërthyer të gjithë vendin pasi një oficer policie qëlloi për vdekje 17-vjeçarin Nahel Merzouk në periferi të Parisit.

Gjendja alarmante dhe dështimi i 45.000 policëve për të kontrolluar turmat e revoltuara ka detyruar Presidentin Emmanuel Macron që të shtyjë një vizitë shtetërore në Gjermani.

Njerëzit kanë dalë në rrugë katër netë radhazi për të protestuar, duke djegur makinat, duke hedhur gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë dhe duke plaçkitur dyqanet.

Anulimi i vizitës nga Macron është një shenjë e qartë e rëndësisë së trazirave të Francës duke pasur parasysh rëndësinë e marrëdhënieve të saj me Gjermaninë.

Sipas një zëdhënësi të presidentit gjerman, Macron foli me homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier për ta informuar mbi situatën.

Presidenti Macron ka kërkuar që vizita e planifikuar shtetërore në Gjermani të shtyhet”, shtoi zëdhënësi.

Është hera e dytë brenda muajit që trazirat franceze e dëmtojnë diplomatikisht Macronin, pasi më parë Mbreti Charles III anuloi vizitën e tij të parë si monark në Francë për shkak të protestave mbi planet e reformës së pensioneve të Macron.

Vrasja e Nahelit riktheu tensionet midis policisë dhe të rinjve në qendrat e strehimit dhe lagjet periferike ku familjet kryesisht arabe luftojnë me varfërinë, papunësinë dhe diskriminimin racor.