A2 CNN ka siguruar dosjen e plotë hetimore të operacionit të koduar “Rrjeti”, që tregon se si u zbuluan 52 persona të përfshirë në grupet kriminale që merreshin me trafik droge në zona të ndryshme të Elbasanit.

Ata shpërndanin kokainë, heroinë, ekstazi dhe kanabis që e përpunonin dhe e përgatisnin në doza të vogla gati për shitje.

Skema është zbuluar nga një agjent i infiltruar i policisë dhe prokurorisë me simbolin “K”, që blinte drogë dhe zbulonte se si kryhej shitja e kokainës.

I infiltruari i policisë bleu lëndë narkotike pothuajse nga të gjithë anëtarët e grupit të përfshirë në role të ndryshme, ndërsa në një moment njëri prej tyre i tha se kokaina ishte peruane e pastër.

Kokaina shpërndahej në qese në zona të ndryshme të Elbasanit, ndërsa metadoni shitej brenda shisheve të ujit.