Prokuroria e Posaçme, SPAK, i kërkoi gjykatës deklarimin e fajshëm të 12 personave të akuzuar mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë, mes të cilëve gjermanë, francezë e italianë, përmes investimeve false në bursë.

Dëmi në total i shkaktuar tek të mashtruarit shkon në gati 7 milionë euro. Për të pandehurin Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafën, zotëruesit e call-centerit nga bëheshin telefonatat e zhvatjeve, SPAK kërkoi dënime me 9 dhe 8 vjet e 6 muaj burg, për akuzën e “mashtrimit kompjuterik”, në formën e grupit kriminal dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Për 10 të pandehurit e tjerë të çështjes, kryesisht ish-operatorë telefonikë, që lidheshin me klientët të cilëve iu premtoheshin investime në valutë, me kthim interesi të lartë, SPAK kërkoi fajësi për akuzën e “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal” dhe dënime me nga 2 vjet e 6 muaj burg, dënime që u konvertuan përfundimisht në Shërbim Prove, në periudha 2 dhe 3 vjeçare.

Mashtrim me call-center, "gol" 7 milionë euro nga Tirana, SPAK

Në kërkimin përfundimtar të SPAK ndaj të pandehurve u llogarit edhe ulja e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar. Përveç dënimeve, Prokuroria e Posaçme kërkoi edhe konfiskimin e pasurive të sekuestruara për llogari të këtij hetimit penale, 588 mijë euro dhe 19.7 milionë lekë në llogaritë në Shqipëri dhe 1,5 milionë euro në një llogari në Kosovë, si edhe 19 pasuri të paluajtshme, mes të cilave 9 apartamente, 3 garazhe dhe disa sipërfaqe trualli.

Në hetimin ndaj të pandehurve të dosjes SPAK bashkëpunoi me autoritetet gjermane të drejtësisë. Të pandehurit dyshohet se nga një call-center në Tiranë ftonin përmes telefonatave qytetarët europianë për të investuar para në kompani investimesh në internet, që në të vërtetë ishin kompani fantazma.

Paratë e marrë depozitoheshin në llogari bankare në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro. Më pas, ato i nënshtroheshin transfertave të njëpasnjëshme, si edhe konvertoheshin në kriptovalutë për të humbur gjurmët.