Lëvizja e lirë e mjeteve lundruese për qëllime turistike në liqenin e Ohrit, është një nga marrëveshjet e arritura në mbledhjen e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pak ditë më parë.

Për ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kjo marrëveshje pritet të sjellë në Pogradec fluks më të madh vizitorësh. Fitimi i parë i pritshëm është ardhja e vizitorëve nga Maqedonia e Veriut në Pogradec. Por ndryshe nga Ohri dhe Struga në Maqedoninë e Veriut, Pogradeci sot nuk ka asnjë mjet lundrues funksional për qëllime turistike.

Edhe një që erdhi para dy vitesh me qëllim kryerjen e shëtitjeve turistike ne liqen, nuk arriti të punojë dhe sot e kësaj dite qëndron e ankoruar në mol. Mungesa e infrastrukturës në molin e Pogradecit për kontrollin teknik të mjeteve lundruese dhe verifikimin e tyre e bën thuajse të pamundur sot që pogradecarët të përfitojnë nga marrëveshja mes dy qeverive fqinje. Sipërmarrësit e zonës shpresojnë që ky të jetë momenti që moli i Pogradecit të ketë dhe një miniport që t’i shërbejë turizmit të zonës.