Bashkë me rikthimin e basteve sportive online, qeveria pret të arkëtojë më shumë para edhe nga aktivitetet e tjera të kumarit.

Në ndryshimet e propozuara për ligjin e lojërave të fatit, Këshilli i Ministrave kërkon të taksojë me 25%, nga 12% aktualisht, xhiron e resort-kazinove nga ruleta dhe lojat me letra, duke e barazuar me pjesën që vilet nga makinat slot. Ndërsa rritet në 2.5% të xhiros nga loja, kontributi që shkon në fondin e posaçëm çdo vit.

Për kazinotë ka një diferencim edhe në logjikën sesi ky aktivitet organizohet. Pasi është më i konsoliduar, përbën një grup lojërash të ndryshme fati dhe natyrshëm në bazë të asaj sesi edhe është orientuar ligji për lojërat e fatit, takson atë që quhet qarkullim duke lejuar edhe hapësira të tilla që nuk i ka patur ligji i mëparshëm. Në këtë masë kazinoja, si një strukturë më e organizuar duhet të përballojë një barrë dhe një ngarkesë më të madhe fiskale se aktivitetet e tjera siç janë bastet online, apo bastet sportive online”, tha eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Por sipas ekspertit Gjokutaj, pavarësisht rritjes së fortë të turizmit, Shqipëria e ka të vështirë të konkurrojë apo të përjetojë të njëjtin sukses nga kjo industri si fqinjët e Malit të Zi.

Aktualisht në vend janë 6 licenca aktive për resort kazino dhe 1 për kazino, subjekte që qarkullojnë mesatarisht 56 milionë euro në vit vetëm nga lojërat e fatit, nga ku shteti arkëton në formën e licencave dhe taksave të tjera mbi to rreth 20 milionë euro, pa përfshirë taksat vendore dhe kontributet shoqërore për punonjësit.