Lulzim Basha kërkon për herë të katërt të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Që nga vitit 2013 kur kandidoi përballë Sokol Olldashit pas dorëheqjes së Sali Berishës, ai arrit të zgjidhej në çdo proces zgjedhor krye të PD. Por e përbashkëta tjetër e këtyre zgjedhjeve është edhe përçarja që ka krijuar në grupe e struktura të ndryshme të partisë.

Nga 2013 e deri në 2017 ishte grupi i xhaketave të vjetra që kishin bërë historinë në PD, të cilët kishin krijuar pakënaqësi nga lidershipi i Bashës duke bërë që kësaj force politike t’i largoheshin emra si Jozefina Topalli, Arben Imami, Astrit Patozi etj.

Mbështetja që Basha kishte nga Sali Berisha deri në shtatorin 2021 ishte e mjaftueshme që t’i bënte ballë përplasjeve brenda partisë e të dilte triumfator. Por vendimi i 9 shtatorit 2021 që largoi Berishën nga grupi parlamentar solli ndarjen e parë zyrtare të PD në dy fraksione, ku pjesa më e madhe e demokratëve ikën me Sali Berishën, i cili nisi betejën e rithemelimit të PD.

Përçarja mes demokrateve e tregon më së miri përleshja në 8 janarin e vitit 2022 se kush do të mbante selinë e PD. Por pavarësisht mbështetësve të Berishës, Basha arriti ta mbante partinë edhe për pak kohë për shkak se dokumentet zyrtari vijon të njihnin atë si kryetar.

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 sollën humbjen që detyroi Bashën të jepte dorëheqjen. Të paktën me fjalë. Dhe siç thotë shprehja, fjalët i merr era, Lulzim Basha vijoi të qëndronte de jure kryetar i PD, ndërsa spaletat i kishte deleguar të besuarit Enkelejd Alibeaj i cili udhëhoqi partinë drejt disfatës së madhe të 14 majit 2023.

Për më shumë se një vit, Lulzim Basha u zhduk nga skena politike duke marrë pushime të gjata. Madje duke mos u angazhuar as në vendoret e 14 majit, zgjedhje të cilat duket se i kishte pritur për të rikandiduar në krye të partisë. Humbja e radhës së demokratëve përballë socialistëve ishte terreni i duhur për Bashën që të rikandidonte, por këtë herë duke krijuar fraksionin e tretë brenda PD.

Në këto zgjedhje të katërta për Lulzim Bashën partia është në një lëmsh ligjor. Krahas Sali Berishës që pretendon drejtimin e saj në Gjykatë, tashmë është edhe Gazmend Bardhi që me kompetencat e sekretarit të përgjithshëm kërkon të ndalojë një proces zgjedhor që me siguri do të shënojë krizën më të thellë të demokratëve me tre dekada ekzistencë.