Humbjet e mëdha në njerëz dhe armatim gjatë luftës në Ukrainë, duket se po e detyrojnë ushtrinë e Putin të hedhë në fushëbetejë të gjithë potencialin e mundshëm që disponon, duke përfshirë dhe këtu armë tepër të vjetra, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Burime nga inteligjenca perëndimore bëjnë me dije se Vladimir Putin është detyruar të nxjerrë nga një bazë ushtarake në Siberi qindra tanke të vjetra, të ndryshkura të cilat tashmë po modifikohen, pastrohen dhe po zhvendosen drejt frontit ukrainas.

Pamjet satelitore tregojnë mjete tepër të vjetëruara duke u dislokuar në zonën e luftës me tren ushtarak.

Sipas ekspertëve, përdorimi i këtyre armëve të vjetra të periudhës sovjetike është një shenjë e dëshpërimit të Putinit, por edhe e llogaritjes së gabuar se burimet ekzistuese do të plotësonin nevojat e tij të luftës.