Dy topa për gol dhe një penallti e shndërruar me saktësi, në momentin kur duhej të përcaktohej fituesi i ndeshjes. Lionel Messi udhëhoqi Inter Miami drejt suksesit përballë Cincinnati, duke i dhuruar skuadrës nga Florida kualifikimin në finalen e Kupës së Shteteve të Bashkuara.

Ekipi i yllit argjentinas realizoi një përmbysje që dukej thuajse e pamundur, sepse ishte në disavantazhin e dy golave. Por, klasi i Messit prevaloi, me dy asist për Campana, të cilën bënë që koha e rregullt e lojës të mbyllej në barazim 2-2.

Në shtesa Inter Miami realizoi edhe golin e tretë, megjithatë Cincinati barazoi rezultatin në 3-3, duke bërë që për të përcaktuar fituesin të nevojiteshin ekzekutimet e 11-metërshave.

Leo Messi hapi serinë e goditjeve të sakta për ekipin e tij, që fitoi me rezultatin 5-4 pas gabimit të Hagglund për Cincinati, në penalltinë e fundit.

Me këtë sukses, Inter Miami siguroi biletën në finalen e Kupës së Shteteve të Bashkuara, ku më 27 gusht do të sfidojë Houston Dynamo për trofeun.