Euro po lë pas humbjet e shkaktuara nga sezoni veror, teksa sot është ngjitur në nivelin më të lartë që prej datës 1 Qershor. Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë, e kuoton valutën europiane në 109.08 lekë, me një rritje të fortë prej 1.45 lekësh brenda 24 orëve të fundit.

Një ndikim kanë pasur në stabilizimin e çmimit, edhe ankandet e zhvilluar nga Banka qendrore për blerjen e valutës. Mirëpo, mbi të gjitha duket se është efekti i daljes nga periudha e fluksit të prurjeve të turistëve të huaj dhe emigrantëve shqiptarë që kthehen në atdhe.

Forcimi i euros është ndjekur edhe nga valutat e tjera të huaja, me dollarin që rikthehet mbi kuotën e 100 lekëve për herë të parë në 3 muaj. Paraja amerikane këmbehet sot për 100.54 lekë. Paundi britanik këmbehet zyrtarisht për 123.38 lekë, ndërsa franga zvicerane fiksohet në 114.15 lekë.

Pas publikimit të kursit të Bankës së Shqipërisë, valutat vazhduan rritjen e fortë në pikat e këmbimit dhe pritet të vazhdojnë këtë trend në ditët në vijim.