Ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, është deklaruar këtë të premte fajtor në gjykatën federale të Uashingtonit, duke pranuar se ka fshehur pagesa sekrete të bëra në drejtim të tij nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar.

McGonigal pranoi se ka falsifikuar të dhënat dhe ka bërë deklarata të rreme në lidhje me 225,000 dollarët që mori nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, gjatë kohës që punonte për FBI-në.

Sipas deklaratës së Departamentit të Drejtësisë në SHBA, ish-agjent i posaçëm i Byrosë Federale të Hetimit i ngarkuar me detyrë në zyrën e Nju Jorkut, pranoi pas marrëveshjes me prokurorët se 225,000 dollarët i ka marrë nga një individ që kishte interesa biznesi në Evropë, teksa po mbikëqyrte punën e kundërzbulimit.

Deklarata e fajësisë së 55-vjeçarit u pranua nga gjyqtarja e qarkut, Colleen Kollar-Kotelly, e cila përcaktoi 16 shkurtin e vitit të ardhshëm si datën kur do të zhvillohet seanca gjyqësore, ku McGonigal do ti komunikohet dënimi.

“Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatë, nga gushti 2017 dhe duke vazhduar deri në pensionimin e tij nga FBI në shtator 2018, McGonigal fshehu nga FBI natyrën e marrëdhënies së tij me një ish-oficer të huaj sigurie dhe një biznesmen i cili kishte interesa të vazhdueshme biznesi në vendet e huaja dhe me qeveritë e huaja. Në mënyrë të veçantë, McGonigal mori të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga individi dhe udhëtoi jashtë vendit me individin, ku u takua me shtetas të huaj. Individi më vonë shërbeu si një burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte lobim politik të huaj mbi të cilin McGonigal kishte përgjegjësi zyrtare mbikëqyrëse.“

Deklarata e Departamentit të Drejtësisë së SHBA
Për çështjen e pagesave nga ish-zyrtari i inteligjencës shqiptare (Agron Neza), akuza parashikon një dënim maksimal me pesë vite burg për McGonigal, i cili po ashtu akuzohet se ka shkelur ligjet kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve, pasi kur la detyrën si shefi i kundërzbulimit në FBI, nisi të punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Në FBI ai kishte për detyrë të hetonte pikërisht oligarkët rusë, por filloi të punonte për Deripaskën dhe u pagua prej tij për të lobuar në SHBA që të tërhiqeshin sanksionet.

Ish-zyrtari i FBI-së doli para një gjykate në Nju Jork më 15 gusht, duke u deklaruar fajtor për akuzën që e implikon atë në skemën e ngritur në shërbim të oligarkut rus, i cili ishte sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2021.

Për lidhjet me Deripaskën, McGonigal rrezikon të kalojë pesë vite të tjera pas hekurave, me dënimin që do t’i komunikohet ish-zyrtarit të FBI në seancën gjyqësore që do të zhvillohet në 14 dhjetor.

Pas pranimit të fajit për rastin Deripaska, McGonigal iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me skemën e paligjshme, duke thënë paraprakisht se ndihej “thellësisht i penduar” për veprimet e tij.

“Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi”, tha McGonigal, duke u dukur herë pas here edhe emocional.

“Kam rënë dakord me një palë tjetër për të mbledhur informacion nënçmues me burim të hapur për një oligark rus të quajtur Vladimir Potanin, i cili ishte një konkurrent biznesi i Oleg Deripaska. E dija se Deripaska ishte vendosur në listën e sanksioneve nga qeveria amerikane. Unë e kuptoja se informacioni që mblodha në fund do të përdorej për ta futur Potanin në listën e sanksioneve të SHBA-së. E kuptova që puna që bëra do t’i jepte njëfarë përfitimi Deripaska-s dhe sipas ligjit të SHBA-së, nuk duhej t’i ofroja asnjë shërbim Deripaskës, qoftë edhe indirekt”, deklaroi ai në seancën e 15 gushtit.