Në Pekin, po merr formë rendi i ri botëror. Të paktën kështu beson lideri i Rusisë, Vladimir Putin, pas takimit me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Një Brez, një Rrugë”.

“Forumi aktual po zhvillohet nën shenjën e dhjetëvjetorit të këtij propozimi vërtet të rëndësishëm, global, të orientuar drejt së ardhmes, të paraqitur nga Z. Xi Jinping, që synon krijimin e një bote shumëpolare më të barabartë të marrëdhënieve. Ky është me të vërtetë një plan global”, tha Putin.

Përpara rreth 140 liderëve dhe udhëheqësve të botës, theksoi se Rusia dhe Kina kanë bashkuar forcat me besim reciprok dhe koordinim strategjik efikas. Mikpritësi Xi Jinping, duke folur në Hollin e Madh të Popullit, konfirmoi krijimin e themeleve të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Konfrontimi ideologjik, rivaliteti gjeopolitik dhe politikat e bllokut nuk janë një zgjedhje për ne. Kina qëndron kundër sanksioneve të njëanshme, detyrimit ekonomik dhe shkëputjes së sistemit të furnizimit”, tha Xi Jingping.

Nga Pekini, Putini zgjodh të dërgonte një mesazh për elitën politike amerikane, veçanërisht për presidentin Joe Biden.

“Ne në Rusi kemi një fjalë të urtë: Jeto për një shekull, mëso për një shekull. Kjo i shkon jo vetëm presidentit Biden, por elitës politike amerikane në përgjithësi: ju duhet të mësoni të respektoni të tjerët. Atëherë nuk do të keni nevojë të shtypni askënd. Dëshira për të shtypur dikë për ndonjë arsye ose pa arsye gjatë gjithë kohës çon në probleme”, tha Xi.

Shefi i Kremlinit foli edhe për luftën në Ukrainë, duke e quajtur qesharak pretendimin se Rusia mund ta humbasë betejën për shkak të armatimeve të mëdha që vëshrojnë nga perëndimi për në Kiev. Me ironi, Putini ftoi Bidenin në Moskë, por vetëm për çaj dhe petulla, siç tha ai, ndërsa sinjalizoi se palët mund të ulen në tryezën e negociatave së shpejti.

“Ne dëgjojmë se ata janë gati për një lloj negociatash. Dhe ata që kurojnë marrëdhëniet me jashtë, të cilët sapo thanë se duhej t’i shkaktonin disfatë strategjike Rusisë në fushën e betejës, tani zërat e tyre kanë ndryshuar. Tani ata thonë se këto probleme duhet të zgjidhen me bisedime paqeje. Zoti Borrell e tha tashmë këtë. E lavdëroj për këtë. Por kjo nuk mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa konkretë nëse ekziston një dëshirë aktuale për të bërë një marrëveshje”, tha Putin.

Ndërkohë, Putin me vete ka marrë edhe zyrtarët e ushtrisë bashkë me valixhet bërthamore, të cilat mund të përdorën nëse presidenti rus do të urdhëronte ndonjë sulm nuklear.