Një 16-vjeçar ka përfunduar në spital një ditë më parë (5 nëntor) në Shkodër, pasi u plagos me thikë nga dy të mitur, të cilët janë arrestuar. Policia bën me dije se ka vënë në pranga shtetasit me iniciale shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Konflikti mes të miturve ndodhi rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ku 15 dhe 16-vjeçarçt plagosën bashkëmoshatarin e tyre me iniciale R. S. i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë dy autorët akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i policisë

Plagosën me mjet prerës (thikë), një 16-vjeçar, pas një konflikti të çastit, në rrugë, arrestohen 2 të miturit të cilët nga hetimet rezultuan autorë të plagosjes. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërkaq, shtetasi R. S. vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.