Vendi është përfshirë nga një mot i keq prej disa ditësh, ndërsa kulmi arriti mbrëmë me reshje të dendura në jug, të cilat kanë shkaktuar fryrjen e lumenjve duke përmbytur deri më tani dhjetëra hektarë tokë në Gjirokastër, Tepelenë dhe Vlorë.

Reshjet ishin mjaft intensive gjatë mbrëmjes së djeshme në trekëndëshin Gjirokastër-Përmet-Vlorë duke sjellë rrjedhimisht edhe daljen e lumenjve nga shtrati.

Mësohet se niveli i Vjosës në Urën e Mifolit ka arritur në 7 metra, gjë që ka frikësuar banorët e fshatrave përreth se mund të ketë përmbytje më të mëdha gjatë orëve të mbrëmjes.

Situata nuk duket të jetë shumë premtuese për jugun pasi siç duket edhe nga raportimet e stacioneve meteorologjike rajonale, reshjet e dendura të shiut do të vijojnë edhe gjatë mbrëmjes së sotme në të njëjtën zonë. Edhe pse jo me intensitetin e mbrëmshëm, reshjet e dendura pritet të fillojë gjatë orëve të vona të mbrëmjes duke vijuar gjatë natës.

Moti pritet të përmirësohet gjatë ditës së neërme ku pjesa më e madhe e territorit të vendit do të karakterizohet nga moti i kthjellët, por me temperatura të ulta.