Fondi i vënë në dispozicion në skemat e mbështetjes për fermerët konsiderohet i pamjaftueshëm për zhvillimin e këtij sektori. Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat teksa diskutohej buxheti 2024 për Bujqësinë, ministrja Anila Denaj bëri të ditur se financimi i fermerëve për vitin 2024 nuk do të jetë aq sa nevoja e tyre, por trefish më i ulët, çka e rendit Shqipërinë të fundit për në rajon.

“Skema mbështetëse e fermerëve nuk është e plotë,  është më e reduktuar se nevoja që kemi. Kemi kërkuar 5.2 miliardë lekë dhe kemi marrë 3.3 miliardë lekë por na është dhënë një hapësirë për të sjellë një skemë të re. Skema  e re do të mbështesë bashkimin e fermerëve në vijim. ”

“Buxhetet në vite janë të vogla në krahasim me rajonin, jemi të fundit me mbështetjen e drejtpërdrejtë.”

“Strategjia e re do jete 5 vjeçare dhe kërkon trefishin e buxhetit aktual”.

Për zhvillimin e këtij sektori ministrja theksoi dhe rëndësinë e fondeve IPARD III. Por sipas saj një rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe bashkitë në këtë drejtim.

“Me fondet e riktheksoj duhet të jenë më të larta ato që mbështesin bashkitë, por dhe bashkitë duhet të vendosin një fokus më të lartë drejt zhvillimit rural. Pushteti vendor po të marri angazhimin si në turizëm, do e kuptoj që është një skemë e suksesshme për të arritur të ardhurat e tyre. Jo gjithmonë biznesi rural ka gjetur mbështetjen e bashkive”, tha Denaj.

Nga 15.6 miliardë lekë këtë vit, fondet për sektorin me të cilin punon dhe jeton gjysma e popullsisë përllogariten në më pak se 14.2 miliardë lekë apo rreth 134 milionë euro. Nevojat shtesë që do të paraqiten më tej në buxhetin afatmesëm sipas ministres Denaj arrijnë në 9 miliardë lekë.