Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar njoftimin për masën e sigurisë Sali Berishës.

Sipas burimeve, dëftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim janë dërguar pranë selisë së PD-së, në adresën e shtëpisë dhe pranë Kuvendit të Shqipërisë. Në të tre rastet, njoftimi është kthyer me nënshkrimin “Refuzuar”.

Gjithashtu dëftesat e komunikimit u janë dërguar edhe avokatëve mbrojtës të Berishës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme, të cilët vetëm në orën 15:50 të së hënës depozituan në SPAK ankimin e plotë kundër vendimit për masën e sigurisë.