Zbardhet vendimi i Gjykatës së Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës, i cili humbi jetën në protestën e 21 janarit. Gjykata ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes.

Në vendimin e argumentuar të Gjykatës Strasburgut, po ashtu thuhet se ka pasur shkelje të detyrimit procedural dhe të pjesës thelbësore të nenit 2 të Konventës, shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës.

NJOFTIM PËR SHTYP I KANCELARIT TË GJYKATËS

Autoritetet shqiptare duhet të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë.

Në vendimin1 e sotëm të Dhomës në çështjen Nika k. Shqipërisë (kërkesa nr. 1049/17) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti, njëzëri, se ka pasur: dy shkelje të nenit 2 (e drejta për jetën dhe për hetim) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Çështja lidhej me vdekjen e bashkëshortit dhe babait të kërkueseve pasi ishte qëlluar me një plumb në kokë në vitin 2011 gjatë një proteste përpara Kryeministrisë. Gjatë protestës kishte pasur përballje të dhunshme midis demonstruesve dhe autoriteteve. Kërkuesit pretenduan në veçanti se komandanti i përgjithshëm i Gardës së Republikës, i ngarkuar me mbrojtjen e Kryeministrisë, kishte urdhëruar vartësit e tij të hapnin zjarr ndaj protestuesve.

Dhoma gjeti se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues i Gardës. Kishte pasur gjithashtu edhe një sërë mangësish të tjera në hetim, duke përfshirë fshirjen e video- regjistrimeve të incidentit dhe mos-ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë. Këto mangësi ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim padrejtësisht.

Dhoma gjeti gjithashtu të meta në kornizën ligjore që rregullonte në atë kohë përdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e tubimeve masive, si dhe defekte serioze në planifikimin dhe kontrollin e protestës. Autoritetet vendase nuk dëshmuan se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës që rezultoi në vdekjen e të afërmit të kërkueseve, kishte qenë absolutisht i nevojshëm. Në fakt, vetë Qeveria Shqiptare pranoi se përdorimi i forcës kishte qenë i tepruar.

Më tej, trupa gjyqësore vendosi se sipas nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së të afërmit të kërkueseve dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.

FAKTET KRYESORE

Kërkueset, Rajmonda, Amelia dhe Mentila Nika, janë shtetase shqiptarë që kanë lindur përkatësisht në vitet 1984, 2009 dhe 2010 dhe jetojnë në Lezhë (Shqipëri). Ato janë bashkëshortja dhe vajzat e A.N., i cili u qëllua me armë në kokë më 21 janar 2011 gjatë një proteste përpara Kryeministrisë. Ai vdiq në spital më 4 shkurt 2011.

1. Sipas neneve 43 dhe 44 të Konventës, ky vendim i Dhomës nuk është përfundimtar. Gjatë periudhës tre mujore pas shpalljes së tij, secila palë mund të kërkojë që çështja t’i referohet Dhomës së Madhe të Gjykatës. Nëse bëhet një kërkesë e tillë, një trupë prej pesë gjyqtarësh vlerëson nëse çështja meriton shqyrtim të mëtejshëm. Në rast se kërkesa pranohet, Dhoma e Madhe e shqyrton çështjen dhe jep një vendim përfundimtar. Nëse kërkesa për referim refuzohet, në të njëjtën datë vendimi i Dhomës bëhet përfundimtar.

Pasi vendimi të jetë bërë përfundimtar, ai i përcillet Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për mbikëqyrjen e ekzekutimit të tij. Informacione të mëtejshme rreth procesit të ekzekutimit mund të gjeni këtu: www.coe.int/t/dghl/monitoring/execution.

Protesta u organizua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, partia kryesore opozitare e asaj kohe. Ajo kishte informuar autoritetet disa ditë përpara rreth pikave të grumbullimit të demonstruesve dhe itinerarit të tyre. Garda e Republikës ishte në gatishmëri dhe policia kishte përgatitur një plan për garantimin e rendit.

Në ditën e protestës situata u përkeqësua me shpejtësi kur disa nga protestuesit filluan të hedhin gurë në drejtim të njërit prej kordonëve të policëve. Pavarësisht se policia përdori gaz lotsjellës dhe një makinë uji për shpërndarjen e protestuesve, një grup protestuesish arritën të sulmojnë një derë hekuri në veri të ndërtesës dhe hynë në oborrin e godinës. Një grup oficerësh, të pajisur me skafandra dhe shkopinj gome, arritën t’i shtyjnë protestuesit jashtë oborrit.

Megjithatë, shumë shpejt pas atij momenti, disa oficerë të Gardës filluan të përdornin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovre dhe luftarak. Tre protestues vdiqën në vend dhe i afërmi i kërkueseve u godit në kokë me një plumb. Asnjë nga katër viktimat nuk gjendej në oborrin e Kryeministrisë; ata ishin në një trotuar aty pranë. Asnjëri prej tyre nuk po merrte pjese në dhunën kundër oficerëve të Gardës.

Nga përplasja u plagosën 45 shtetas të tjerë, si dhe 82 oficerë të Gardës dhe 27 punonjës policie.

Prokuroria nisi një hetim po atë ditë, duke lëshuar urdhër-ndalime për gjashtë të dyshuar, oficerë të Gardës së Republikës. Kur u morën në pyetje, oficerët mohuan kategorikisht të kishin qëlluar drejtpërdrejt mbi turmën, duke pohuar se ata kishin qëlluar në ajër vetëm për të zmbrapsur protestuesit. Gjithashtu, ata pohuan se nuk ishte dhënë asnjë urdhër, në asnjë moment, për të qëlluar në ajër ose në drejtim tjetër, dhe se çdo oficer e kishte marrë vetë këtë vendim.

Në përfundim të procesit, në vitin 2013 dy nga oficerët u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia të dy prej viktimave. Ata u dënuan përkatësisht me një dhe tre vjet burgim. Gjykata e Apelit e Tiranës arriti në përfundimin se përdorimi i forcës nga oficerët e Gardës kishte qenë i tepruar dhe se ata duhej të kishin parashikuar pasojat e vendimit të tyre për të qëlluar me plumba luftarak në ajër. Gjykata e Apelit megjithatë nuk e gjeti të provuar se oficerët kishin qëlluar drejtpërdrejt ndaj dy viktimave, të cilët me shumë gjasa ishin vrarë nga plumba rikoshet. Sidoqoftë, sipas gjykatës të shtënat në ajër duheshin konsideruar si një mjet i ligjshëm për të zmbrapsur protestuesit që ishin përpjekur të hynin në godinën e Kryeministrisë.

Hetimi për vdekjen e A.N. u nda nga dosja kryesore dhe vazhdon ende. Një numër ekspertizash balistike janë kryer mbi plumbin e nxjerrë nga koka e A.N., por për shkak të dëmtimeve të tij ka qenë e pamundur të përputhej plumbi me armën nga e cila ishte shkrepur.

Kërkuesit nisën gjithashtu një proces gjyqësor për dëmshpërblim dhe në vitin 2017 secilit prej tyre iu dha mbi 100,000 euro dëmshpërblim. Në këtë procedurë Gjykata Administrative e shkallës së parë në Tiranë gjeti se oficerët e Gardës kishin përdorur armët e tyre më 21 janar 2011 në shkelje të Ligjit për Përdorimin e Armëve të Zjarrit. Ajo arriti në përfundimin se autoritetet shtetërore ishin përgjegjëse për vdekjen e A.N.

VENDIMI I GJYKATËS

Hetimi

Megjithëse reagimi i autoriteteve ndaj incidentit kishte qenë i shpejtë, Gjykata konsideroi se kishte pasur një numër mangësish që ngjallnin dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin hetimin apo të ndërhynin padrejtësisht.

Së pari, zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme i ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin.

Për më tepër, edhe pse ishin lëshuar urdhër-ndalime në lidhje me oficerët e dyshuar të Gardës së Republikës, ato nuk ishin zbatuar, me pretendimin e pasaktësive në përmbajtjen e tyre. Ishin vetë oficerët ata që u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës.

Po ashtu ishte me rëndësi fakti që regjistrimet video të incidentit, të ruajtura në dhomën e serverit të Kryeministrisë, ishin fshirë. Dyshimi se fshirja mund të kishte qenë e qëllimshme nuk gjeti përgjigje në procesin penal kundër një nëpunësi të teknologjisë së informacionit, proces i cili nuk arriti të përcaktonte se prej kujt dhe si ishin fshirë regjistrimet.

Të tjera mangësi në hetim përfshinin mos-hetimin e mundësisë që demonstruesit, duke përfshirë edhe të afërmin e kërkueseve, ishin shënjestruar drejtpërdrejt dhe deri në ç’masë oficerët komandues kishin qenë përgjegjës për rrjedhën e ngjarjeve. Nuk ishte përcaktuar as një kronologji e saktë e ngjarjeve, duke përfshirë sekuencën dhe natyrën e urdhrave të dhënë nga ata që ishin në zinxhirin komandues të Gardës dhe momentin e saktë kur viktimat ishin qëlluar. Në fakt, disa pista kyçe hetimi, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë, nuk ishin shteruar.

Më tej, sa i përket mangësive në hetimin konkret për vdekjen e të afërmit të kërkueseve, Gjykata gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe kërkueset u ankuan se u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova.

Prandaj, marrë parasysh tërësinë e rrethanave, Gjykata gjeti se hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2.

 Përdorimi i forcës dhe vdekja e të afërmit të kërkueseve

Edhe pse gjykatat kombëtare e kishin gjetur Shtetin përgjegjës për vdekjen e të afërmit të kërkueseve dhe këto të fundit kishin marrë dëmshpërblim, rrethanat e hapjes së zjarrit ende nuk janë përcaktuar qartë. Në veçanti, nuk është vërtetuar në nivel kombëtar se i afërmi i tyre kishte vdekur si pasojë e përdorimit të një arme zjarri nga një oficer i caktuar i Gardës. Identiteti i atij oficeri apo i ndonjë personi tjetër të përfshirë nuk është përcaktuar. Prandaj, Gjykata hodhi poshtë argumentin e Qeverisë se kërkuesit kishin humbur statusin e viktimës. Gjykata vijoi duke gjetur se kishte pasur tre grupe kryesore mangësish në përdorimin e forcës që solli vdekjen e të afërmit të kërkueseve.

Së pari, në atë kohë kishte pasur mangësi në kornizën ligjore që rregullonte përdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e tubimeve masive. Gjykata e gjeti problematike faktin se legjislacioni vendas autorizonte përdorimin e armëve të zjarrit për mbrojtjen e pronës, pa përcaktuar qartë se cilat rrethana saktësisht do ta justifikonin një veprim të tillë. Ligji ka ndryshuar ndërkohë duke përfshirë kushtin që jeta e atyre që janë përgjegjës për mbrojtjen e një objekti duhet të jetë në rrezik.

Më pas, Gjykata vijoi me identifikimin e defekteve serioze në planifikimin dhe kontrollin e protestës, pavarësisht se autoritetet kishin pasur kohë për t’u përgatitur pasi ishin njoftuar disa ditë përpara. Gjykata vuri në dukje në veçanti se nuk kishte pasur udhëzime të qarta për përdorimin e forcës vdekjeprurëse apo për kontrollin e turmës, si dhe kishte munguar bashkërendimi i duhur midis Gardës së Republikës dhe policisë, si edhe një zinxhir i qartë komandues. Sasia e gazit lotsjellës në dispozicion dhe vetëm një automjet ujë-shpërndarës nuk kishin qenë të mjaftueshme për të shpërndarë turmën dhe policia nuk ishte pajisur me maska kundra gazit; si rrjedhim, atyre iu desh të tërhiqeshin dhe të linin Gardën e Republikës për t’u përballur e vetme me turmën e protestuesve.

Si përfundim, Gjykata konsideroi se autoritetet nuk dëshmuan se përdorimi i forcës vdekjeprurëse që rezultoi në vdekjen e të afërmit të kërkueseve kishte qenë absolutisht i nevojshëm në rrethanat e rastit. Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera (jo-vdekjeprurëse) të kontrollit të turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet. I afërmi i kërkueseve nuk përbënte ndonjë kërcënim për Gardën e Republikës dhe Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Edhe nëse do të pranohej argumenti se oficerët kishin qëlluar në ajër si formë paralajmërimi, është e vështirë të imagjinohet se zjarr-qitja në një kënd të kujdesshëm do të kishte goditur në kokë të afërmin e kërkueseve, qoftë edhe si pasojë e një plumbi rikoshet, ndërsa ai ishte duke qëndruar në këmbë afër trotuarit përballë Kryeministrisë. Në fakt, vetë Qeveria Shqiptare kishte pranuar se forca e përdorur kishte qenë “shpërpjesëtimore”.

Rrjedhimisht, ka pasur një shkelje të nenit 2 sa i përket vdekjes së të afërmit të kërkueseve.

Neni 41 (shpërblimi i drejtë)

Kërkuesit nuk dorëzuan kërkesë për shpërblim të drejtë.

Neni 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve)

Ligjet që rregullojnë përdorimin e armëve të zjarrit janë ndryshuar pas incidentit në fjalë dhe të shtënat në ajër si mjet për shpërndarjen e turmave janë tashmë të ndaluara me ligj. Gjykata vendosi se i takon Komitetit të Ministrave, organit ekzekutiv të Këshillit të Evropës, ta ndjekë ekzekutimin e vendimit dhe të vlerësojë nëse këto masa të përgjithshme dhe masat e tjera të sugjeruara nga Qeveria Shqiptare janë efektive.

Ajo gjithashtu konsideroi se autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së të afërmit të kërkueseve dhe të identifikojnë dhe ndëshkojnë personat përgjegjës.

Kujtojmë se, Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me 3 protestues të tjerë. Pas kalvarit të gjatë gjyqësor, familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.