Mjafton vetëm të lexosh emrat që të kuptosh se Grupi B i Euro 2024 ku ndodhet Shqipëria është më i vështiri i evenimentit. Italia, Spanja dhe Kroacia janë skuadra me emër, por sipas Luciano Spallettit, ndeshjet në këtë grup mund të ishin fare mirë sfida që luhen në çerekfinalet e turneve madhorë.

“Ndeshjet e grupit tonë, mund të ishin fare mirë sfida që luhen në çerekfinale. Megjithatë ne jemi Italia dhe duhet të luajmë si dimë. Duhet të dimë ti zgjidhim situatat dhe t’i luajmë sa më mirë këto ndeshje.”, shprehet Spalletti.

Trajneri i të kaltërve nuk ka frikë, përkundrazi beson se janë kundërshtarët ata që mbetën të pakënaqur nga shorti.

“Askush nuk është i lumtur që luan kundër Italisë. Nëse e vendosim veten në vendin e të tjerëve, nuk mund të jesh i lumtur të gjesh Italinë si kundërshtare nga vazo e katërt. Duhet të tregojmë çfarë ekipi jemi dhe çfarë niveli loje mund të paraqesim. Kur hipën në ring, dueli nuk vendoset në goditjen e parë. Duhet të shpalosim cilësitë më të mira gjatë 100 minutave të lojës.”, vijon më tej Spalletti.

Shqipëria debuton në Euro 2024 pikërisht përballë Italisë, në sfidën e 15 qershorit që do të luhet në Dortmund.