Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademajt të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi opinionin publik në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, u bë i ditur arrestimi i tre personave të dyshuar për rastin.

Njëri nga ta ishte pikërisht bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava, i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.

Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës.

E më vonë, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Siç u mësua, i arrestuari ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale?

Sipas raportimeve në disa media, Naim Murseli para një kohe i kishte paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani suedeze. E për këtë pretendohej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.

Mirëpo gazetari i gazetës suedeze Bohusläningen, Henrik Lundbjörk, ka thënë për KosovaPress, se sipas njohurive të tij, shuma më e lartë e vlerës së sigurimit është 500 mijë euro.

Në anën tjetër, raportet mes çiftit nuk ishin në më të mirën e tyre, diçka që mund të mos kenë qenë të informuara familjet e tyre.

Në një dokument që ka siguruar KosovaPress, konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze.

Vrasja e 30-vjeçares në Kosovë, Liridona dhe Naimi kishin

Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, pasi brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.

Për këtë arsye, Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 mori vendimin për të ndërprerë çështjen nga procedimi i mëtejshëm.

“Më 31 janar 2019, Liridonë Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci. Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në dokument.

Kujtojmë se deri më tani kanë qarkulluar disa versione që mund të kenë çuar deri në aktin barbar, por që ende nuk ka asgjë zyrtare.