Kryeministri Albin Kurti ka hedhur sërish akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Në një deklaratë për mediat, në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti u shpreh se sot se për herë të parë, Kosova ka Qeveri pa kurrfarë lidhje me krimin e organizuar.

“Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’i kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, tha Kurti.

Ai foli edhe për procesin e Vettingut, ku tha se reformat janë të domosdoshme.

“Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik”, ka deklaruar Kurti.