250 milionë dollarë do të jenë ndihmat që Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë për Ukrainën.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit që të miratojë një paketë ndihme me vlerë 61 miliardë dollarë, por që po kushtëzohet nga republikanët të cilët kërkojnë miratimin e fondeve për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

Sekretari amerikan Antoni Blinken tha se paketa e fundit e ndihmës përfshinte municione për mbrojtjen ajrore, sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, municione artilerie dhe kundër blindave dhe mbi 15 milionë fishekë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pa miratimin e fondeve shtesë, ndihma amerikane do të mbarojë deri në fund të vitit. Shtetet e Bashkuara kanë miratuar disa paketa ndihme për Ukrainën në luftën e saj për të rimarrë territoret e pushtuar nga forcat ruse që nga fillimi i agresionit të Kremlinit në shkurt 2022.

Kongresi ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë, por nuk ka miratuar asnjë fond që kur republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar të vitit 2023.