Ervin Mete, ministri i Financave, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, këtë të enjte, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në buxhetin e vitit 2023, për plotësimin e paketës së solidaritetit.

Ai përcaktoi kategoritë që pritet të përfitojnë nga kjo paketë, duke theksuar se do të ketë edhe një kompensim ushqimor për punonjësit e policisë, si dhe një shpërblim për 1100 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale në kuadër të anëtarësimit në BE.

“Pas dy bonuseve për pensionistët, plotësimin e kësaj pakete edhe për disa shtresa në nevojë. Paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë shpërblimi që sapo iu akordua pensionistëve për 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar, 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike, 68 mijë invalidë të punës, 44 mijë përfitues të pensioneve familjare.

Gjithashtu, parashikohet një shpërblim për 1100 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale në kuadër të anëtarësimit në BE dhe për shkak të rezultateve të larta që kanë marrë edhe nga BE-ja. Gjithashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensiomin e tyre ushqimor, në një vlerë totale rreth 800 milionë lekë, ka një mbështetje për të gjitha bashkitë si një shtesë granti”, tha ministri Mete.

Më tej, ministri sqaroi se disa kategori përfitojnë dyfishin e ndihmës. “Bonusi është në djetën masë që ju dha pensionistëve, ndërsa për disa kategori të posaçme, të cilat kanë përfituar aktualisht, siç janë invalidët e punës, të tjerë të pensioneve familjare, praktikisht tani i dyfishohet masa. Por edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ për kategori të posaçme, siç janë familjet në ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja.

Ndërkohë, për punonjësit e administratës që kanë qenë të përfshirë në takimet bilaterale do të jetë një pagë shpërblim”, sqaroi ministri.