Luftimet intensive vijojnë në Rripin e Gazës, edhe pse Izraeli njoftoi planet për të tërhequr disa prej trupave. Banorët thonë se avionë lufte dhe tanke izraelite kanë shtuar bombardimet dhe zjarrin e artilerisë në qytetin jugor të Khan Younis.

Sipas autoriteteve në Rripin e Gazës më shumë se 200 palestinezë ishin vrarë në territor gjatë 24 orëve të fundit. Sakaq, ushtria e Tel Avivit foli për eliminimin e dhjetëra militantëve palestinezë në Jabalian veriore dhe shënjestrimin e të tjerëve në qytetin e Gazës dhe zonat bregdetare.

Po ashtu në bregun perëndimor, IDF raportoi vrasjen e 4 militantëve palestinezë në një operacion anti-terrorist. Sulmet e reja vijnë një ditë pasi ushtria e Izraelit njoftoi planet për të tërhequr disa rezervistë nga Gaza në përgatitje të luftimeve të gjata që siç tha do të vijonin përgjatë gjithë vitit.

Sipas të dhënave të përditësuara mbi 22 mijë njerëz janë vrarë në territor që kur Izraeli nisi reprezaljen, pas sulmit të koordinuar të Hamasit më 7 tetor.