Therja e qenve për konsumimin e mishit të tyre do të jetë shumë shpejt një akt i paligjshëm në Korenë e Jugut.

Ligjvënësit në vend votuan një ligj që do të ndalojë therjen dhe shitjen e qenve për mish, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027. Synimi i këtij ligji është që të ndalojë këtë praktikë që ekziston në Korenë e Jugut prej shekujsh.

Supa me mish qeni e quajtur në gjuhën vendase “boshintang” preferohet në masë nga të moshuarit në Korenë e Jugut, por kjo pjatë nuk po pëlqehet nga të rinjtë.

Dhe, tashmë me ligjin e ri, konsumimi i mishit të qenit do të konsiderohet i paligjshëm. Sipas një sondazhi të Gallup, të organizuar vitin e shkuar, vetëm 8% e njerëzve në vend kanë deklaruar se kanë provuar mish qeni në 12 muajt e kaluar, më pak se 27% që ishin regjistruar në 2015.

Më pak se një e pesta e atyre që morën pjesë në sondazh kanë pranuar se e mbështesin konsumimin e mishit të qenit.

Sipas ligjit të ri, ata që dënohen për tregti të mishit të qenit mund të përballen me mbi 3 vite burg, ndërsa ata që shpallen fajtorë për rritje të qenve për mish, apo për shitjen e tyre për këto qëllime, mund të përballen me maksimumi dy vite burg.

Ndërkohë, fermerët dhe pronarët e restoranteve që shërbejnë mish qeni kanë tre vite kohë për të gjetur burime alternative punësimi dhe të ardhurash përpara se ligji të hyjë në fuqi.