Vladimir Putin ka nisur pushimet ekzotike të tij, edhe pse bëhet fjalë sërish për propagandë. Presidenti rus udhëtoi për në territorin autonom Çutkotka, në vizitën e parë të rajonit më lindor të vendit në më shumë se dy dekada në pushtet.

Në pamjet filmike të publikuara nga vetë Kremlini, shfaqet Putini brenda një sere teksa informohet nga një biznesmene për prodhimet që dalin nga aty, kryesisht domate dhe tranguj. Çutkota ndan një kufi detare me shtetin amerikan të Alaksës, në gjirin e Beringut.

Lideri i fundit i Rusisë që vizitoi këtë rajon të largët ishte ish presidenti Dmitry Medvedev në vitin 2008. Ndërkohë, rreth 100 banorë janë filmuar duke parë autokolonën e Putinit të kalojë në temperatura minus 30 gradë celcius, sipas raportimeve të mediave ruse.

Kremlini njofton se presidenti rus udhëtoi për në rajonin e largët me anë të një automjeti të quajtur “Kishçnik”, në shqip predatori, në udhëtimin e parë të tij për këtë vit. Automjeti është prodhim vendas, i projektuar për të lëvizur mbi dëborë të thellë dhe këneta me goma me presion të ulët. Putin ka një histori të drejtimit të makinave dhe kamionëve të ndryshëm.