Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i ditës së sotme ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.

Sipas policisë së Maqedonisë së Veriut, nga të shtënat kanë mbetur të plagosur dy personat që e shoqëronin, Eshtref Selimi dhe Adnan Ajdini. Ky i fundit është futur në operacion në urgjencën e spitalit të Shkupit.

“Sot (01.04.2024) në orën 13.25 në SPB Shkup është denoncuar se në hyrje të Haraçinës, një person mashkull ka shtënë me armë zjarri në drejtim të kryetarit të Haraçinës R.I i cili ka qenë së bashku me disa persona. Gjatë kësaj janë lënduar dy persona, të cilët kanë qenë së bashku me kryetarin. Kryetari i komunës nuk është i lënduar, dhe nuk janë të sakta as spekulimet në një pjesë të portaleve se është lënduar një zyrtar policor. SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë maqedonase.

Sipas raportimeve autori i dyshuar është larguar me një automjet të tipit “Golf” në drejtimin e rrugës Haraçinë-Kumanovë. Policia ka bllokuar rrugët dhe po hetohet rasti.